AKK: Kosova humbi miliona euro nga Japonia për shkak të neglizhencës së Qeverisë

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka shprehur indinjatën e thellë për faktin se Republika e Kosovës ka humbur një mundësi të jashtëzakonshme për mbështetje financiare dhe teknike nga Japonia në fushën e menaxhimit të mbeturinave.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Telegrafin se kjo humbje ka ardhur vetëm si pasojë e neglizhencës së pafalshme të Qeverisë dhe Ministrisë kompetente, të cilat nuk kanë marrë as mundimin të dorëzojnë një projekt-propozim të gatshëm nga ekspertët japonezë.


“Ky është një dështim i rëndë institucional. Përmes projekteve të mëparshme, Japonia i ka dhënë Kosovës mbi 60 kamion për grumbullimin e mbeturinave, duke ndihmuar drejtpërdrejt komunat dhe qytetarët. Ndërsa këtë herë, për shkak të mosveprimit të Ministrisë, Kosova ka humbur miliona euro që do të investoheshin në modernizimin e sistemit të mbeturinave, duke përfshirë një program serioz me 1 vit përgatitje dhe 4-5 vite zbatim praktik”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka theksuar se është e papranueshme që ndërkohë Presidentja e Kosovës, gjatë vizitës së saj në Japoni, ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes nga JICA, ndërsa Ministria kompetente ka hezituar qëllimisht ose me paaftësi të dorëzojë aplikimin.

“Ky kontrast tregon mungesë serioziteti dhe koordinimi në nivel shtetëror, duke e vendosur Kosovën në pozitë të palakmueshme para një partneri strategjik si Japonia. AKK ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me koordinatorin e projektit të JICA dhe e ka përkrahur një program të tillë dhe është dakorduar për përfshirje në këtë iniciativë, por për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë, kjo mundësi tashmë është e humbur”, u shpreh Ibrahimi.

Kryetari i AKK-së shtoi se ky nuk është thjeshtë një projekt i dështuar por është një goditje e rëndë për komunat dhe qytetarët e Kosovës, të cilët mbesin pa investime jetike për mjedisin dhe shëndetin publik.

“Para një kohe të shkurtë MAPL për shkak të neglizhencës së saj ka humbur rreth 12 milion euro nga Komisioni Evropian të dedikuara për komunat e Republikës së Kosovës të cilat ishin për skemën e grantit të performancës.

AKK kërkon llogaridhënie nga Qeveria dhe bën thirrje që në të ardhmen të mos përsëriten këto gabime skandaloze, sepse Kosova nuk mund të lejojë që për shkak të papërgjegjësisë institucionale të humbasë miliona euro ndihmë ndërkombëtare, të cilat janë jetike për zhvillimin e vendit”, theksoi Ibrahimi. /Telegrafi/