Tre shoferë ndëshkohen në Ferizaj për përdorim të telefonit gjatë ngasjes – u pezullohen patentë-shoferët

Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndërmarrë masa të ashpra ndëshkuese ndaj tre shoferëve që janë kapur në flagrancë duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit, një shkelje që konsiderohet rrezik serioz për sigurinë në trafik.

Dy prej tyre, M.S. (42 vjeç) dhe S.V. (29 vjeç), të cilët po drejtonin vetura të tipit Citroën dhe Renault me targa vendore, janë ndaluar nga policia për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër, duke përsëritur të njëjtën kundërvajtje.

Ndaj tyre janë shqiptuar këto masa ndëshkuese:

Gjobë prej 200 euro,

Dy pikë negative në patentë-shofer,

Ndalim i të drejtës për të drejtuar automjet për tre muaj.

Ndërkaq, shoferi tjetër, A.S. (32 vjeç), është ndaluar teksa drejtonte një veturë të tipit Mercedes, po ashtu me targa vendore, dhe ishte kapur për herë të tretë duke përdorur telefonin gjatë ngasjes. Për këtë shkelje të përsëritur, ai është ndëshkuar me:

Gjobë prej 500 euro,

Tre pikë negative,

Ndalim i të drejtës për të drejtuar automjet për gjashtë muaj.

Policia Rajonale në Ferizaj ka bërë thirrje për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, duke theksuar se kjo sjellje paraqet rrezik të madh për aksidente me pasoja të rënda.

Kontrollet dhe masat ndëshkuese në rrugët e rajonit të Ferizajt do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen me qëllim rritjen e sigurisë rrugore për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.