Kandidati i dënuar për shpifje i VV-së e denoncon sërish rrejshëm Agim Aliun

Enver Haliti, kandidat i VV-së për kryetar të Ferizajt, ka denoncuar rrejshëm Agim Aliun për shitjen e banesave publike. Jo më larg se në muajin gusht, Haliti ishte dënuar nga Gjykata Themelore për shpifje për dy postime që kishte bërë kundër Agim Aliut.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti në gushtin e këtij viti ishte dënuar nga Gjykata Themelore për shpifje që kishte bërë kundër kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu.

I dënuari për shpifje, Enver Haliti, të dielën në një debat televiziv në Kanal 10 ka denoncuar rrejshëm Agim Aliun për shitjen e banesave publike me çmime të ulëta.

Por hiç më larg se më 5 gusht të këtij viti, Gjykata Themelore në Ferizaj me një aktgjykim kishte vërtetuar se i padituri Enver Haliti më 8 korrik të vitit 2025 e kishte shpërndarë një postim të Kallxo.com dhe kishte shpifur kur ka deklaruar “kjo është skema korruptive për falimentimin e kompanive publike nga Agim Aliu”.

Ndërkaq, më 20 korrik të vitit 2025 e kishte shpërndarë një postim të Kallxo.com dhe se ka shpifur kur ka deklaruar “O hajna edhe për 150 vjetorin e themelimit të qytetit të Ferizajt, keni marrë 331 mijë e 804 euro nga buxheti i komunës dhe keni thënë që është projekt tre vjeçar, mirëpo pas një viti doni me marrë edhe 390 mijë euro të tjera po në emër të një projekti trevjeçar. Agimi edhe hajn edhe burrë i mirë”.

Megjithatë në debatin televiziv në Kanal 10, ish-deputeti i VV-së tani kandidat për kryetar, me shumë gjasë nuk ka dëgjuar asnjëherë për ligjin për Shitjen e Banesave, për të cilat ekziston e Drejta Pronësore.

Plotësimi i Ligjit erdhi si propozim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të dielën në debat, ai e ka përdorur një vendim të Komunës së Ferizajt, i cili derivon nga ky Ligj, për të ekspozuar gjoja një skandal të qeverisjes së kryetarit aktual Agim Aliu.

Haliti e akuzoi Aliun për shitjen e një banese në pronësi publike për një vlerë të ulët në krahasim me çmimet në treg. Bëhet fjalë për shitje të banesave për të cilat ekziston e drejta pronësore. Për prona që, në shumicën e rasteve, janë dhënë shumë vite më parë në shfrytëzim për punonjës të shtetit.

“A na tregon pra qysh 15 kontrata të shitblerjes së banesave në vlerë 6 mijë euro? 75m2 banesë e ka shitur për 6 mijë euro para një javë dite. Le të na shpjegon qysh është e mundur kjo! Le të na tregon kryetari!”, tha kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Ferizajt në një debat në Kanal 10 të dielën.

Haliti i injoroi ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi të cilat e rregullojnë çështjen e shitjes së banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Ato e thonë krejt të kundërtën.

Sipas Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Pronësore, shitja e banesave publike nuk bëhet bazuar në çmimin e tregut. Çmimi për shitjen e tyre është i rregulluar me Ligj.

Këtë Ligj, të miratuar për herë të parë në vitin 2012, për herë të fundit e ka ndryshuar dhe plotësuar Kuvendi i Kosovës në vitin 2022. Këtë herë, Ligji ka shkuar në Kuvend me propozim të Qeverisë së Vetëvendosjes.

Sipas këtij Ligji, çmimi bazë për përllogaritjen e vlerës së shitjes është 100 euro për m2 dhe koeficienti i lirimit.