Dimal Basha është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit. Për votimin e tij votuan edhe deputetët e PDK-së.
Basha në fjalimin e tij si kryeparlamentar falënderoi deputetët që e votuan, transmeton Telegrafi.
“E ndjej nderin për votën dhe mbështetjen tuaj, njëkohësisht e ndjej edhe përgjegjësin që më është dhënë. Ky institucion është zemra e demokracisë tonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve tanë. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica, liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Basha përmendi edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për Kosovën.
Basha u deklarua edhe për bllokadën që ishte krijuar tash e disa kohë në Kuvend.
“Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e kemi parë më herët. Por, mos harroni që me gjithë betejat, unë besoj fuqishëm që ka qenë një shkollë që i ka shërbyer demokracisë, por edhe emancipimit tonë si shoqëri. Në emër të kryetarit të Kuvendit ju bëj thirrje për bashkëpunim dhe unifikim, është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne kemi guximin dhe mençurinë të punojmë së bashku për të ardhmen e vendit tonë, që u sakrifikuan gjenerata të shumta”, deklaroi Basha.
Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota për. /Telegrafi/