Ferizaj: Pesë shoferë ndëshkohen për shpejtësi dhe shkelje të rënda në trafik

Policia e Kosovës, Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj pesë shoferëve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit.

Kontrollet janë realizuar përmes veturës inteligjente të policisë, e pajisur me radarë të avancuar që monitorojnë rrugën në 360°, lexojnë targa dhe regjistrojnë kundërvajtje në kohë reale.

Rastet e regjistruara:

Në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h, shoferi A.A. (26 vjeç), me veturë Mercedes, u kap duke lëvizur me 101 km/h.

Në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, afër pikës së karburantit “Bubeari Petrol”, në zonën me kufizim 40 km/h, u kapën:

Sh.I. (20 vjeç), me VW Golf – 132 km/h

U.P. (20 vjeç), me VW Golf – 119 km/h

B.L. (24 vjeç), me VW Pikap – 109 km/h

Këta shoferë u gjobitën me 200–300 euro, morën 2–3 pikë negative dhe iu është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit për 3 muaj.

Ndërsa në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, afër “Varrezave të Dëshmorëve” në Kaçanik, shoferi B.O. (27 vjeç), me Audi, ka tejkaluar veturën e policisë me targa civile, duke mos respektuar shenjat e trafikut dhe duke rrezikuar pjesëmarrësit në rrugë.

Atij iu shqiptua gjobë prej 200 euro2 pikë negative dhe ndalim drejtimi për 3 muaj.

Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, duke paralajmëruar se kontrollet me veturën inteligjente do të vazhdojnë për të identifikuar shkeljet dhe parandaluar aksidentet me pasoja.